Blog

Si të pastroni ajrin në shtëpinë tuaj

A e dinit që ajri brenda shtëpisë tuaj ka mesatarisht një nivel 2 deri në 5 herë më të lartë ndotjeje sesa ai jashtë shtëpisë? Çdo gjë, nga dyshekët ku flemë e deri tekrrobat e gjumit me të cilat flemë përmban toksina dhe kimikate të dëmshme. Dhe është pikërisht nga këto papastërti që simptoma astmatike, skuqje, kollë apo irritim në sy marrin jetë.

Produktet si ngjitësi, shampot, shkuma e rrojës e deri tek tapetet përmbajnë formaldehidë, substancë që njëkohësisht gjendet edhe tek cigarja- dhe efektet e cigares në shëndet i dimë të gjithë! Por a e ajrosni shtëpinë tuaj sa duhet?

Ka momente që ajri i shtëpisë të duket i rëndë, sikur të merr frymën.

Kokteile aromash të pakëndshme zaptojnë çdo cep të shtëpisë dhe kanë nevojë për zgjidhje të menjëhershme.

Shëndeti i mirë fillon nga shtëpia, ndaj këtu do të mësoni si ta pastroni cilësinë e ajrit, duke shmangur kështu alergjitë dhe problemet me frymëmarrjen.

Përdorni produkte pastrimi me sa më pak kimikate

Kurseni para, mund dhe kohë duke përdorur alternativa pastrimi të cilat të favorizojnë ty por njëkohësisht edhe ambientin.

Lëngjet spërkatëse kimike, zbardhuesit tradicionalë dhe shumë produkte të tjera që gjen tek marketi yt nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbushin ajrin me toksina të dëmshme dhe japin një pastrim jetëshkurtër të shtëpisë. Sado që na është ngulitur ideja që produktet profesionale janë një kategori e shtrenjtë për shtëpinë, duhet të kuptojmë që kjo tabu nuk na favorizon ne por shitjet e shumicës. Një produkt profesional pastrimi ka një shkallë suksesi të garantuar dhe nëse paguajmë një çmim të lartë sot e dimë që e kemi paguar për një periudhë të gjatë. Rrjedhimisht, të paguash një herë në muaj të kushton më lirë se të paguash lirë një herë në javë.

Shtëpia ka nevojë për ajër

Mos e ktheni shtëpinë në një fole grumbullimi sendesh të panevojshme.

Synoni që shtëpisë ti jepni një dekor të thjeshtë dhe të shmangni orenditë e tepërta. Në këtë mënyë, keni mundësuar një hapësirë të qetë për syrin por edhe mushkëritë tuaja. Pastrimi kryhet më me lehtësi në momentin që arrijmë të prekim çdo sipërfaqe.

Hiqni lodrat e pellushit, qilimat apo tapiceritë dhe në këtë mënyrë keni shmangur manifestimin e mikrobeve dhe insekteve në hapësirat e ndenjes të shtëpisë suaj.

Nëse nuk hiqni dot dorë prej tyre lajini rregullisht, përdorni produkte me një sasi të ulët kimikatesh dhe të lartë në higjienizues.

Nëse mbani kafshë shtëpiake, dyshemeja nuk është e vetmja gjë që ka nevojë për higjienizim të vazhdueshëm.

Ventilimi është thelbësor

Ajri duhet të qarkullojë në çdo cep të shtëpisë.

Hapini dyert dhe dritaret për të paktën 20-30 minuta në ditë në një orë të caktuar kur ka më pak lëvizje dhe ndotje jashtë.

Bëjeni këtë çdo ditë që të ruani freskinë e ajrit.

Tregoni kujdes ndaj lagështisë

Lagështia në mure apo tavan nuk shkakton vetëm aroma të këqija. Ajo është shkaktare e drejtpërdrejtë e problemeve me lëkurën dhe frymëmarrjen. Sigurohuni që ti pastroni muret e shtëpisë tuaj një herë në muaj. Mund të përdorni sfungjerë të butë dhe të njomur në detergjentë për pastrimin e sipërfaqeve të mureve.

Nëse muret e shtëpisë tuaj kanë njolla të krijuara nga lagështira, sugjerohet higjienizimi i tyre me anë të produkteve profesionale me koncentrate që luftojnë mykun.

Mos pini duhan brenda në shtëpi

Duhanpirja në shtëpi është një nga veset më të këqija. Tymi i duhanit është plot me toksina që ndikojnë në shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes. Por frymëmarrja juaj nuk është e vetmja gjë që duhanpirja dëmton. Muret e shtëpisë, perdet pranë ballkonit apo grilat e dritareve kthehen në mbartëse të toksinave të cilat rrallë herë na shkon në mendje ti pastrojmë.

Përdorni qymyrin

Pse qymyr? Qymyri i ndezur nuk është thjeshtë një mënyrë efektive nga ana e kostos për ngrohje sa një pastrues efiçent i ajrit brenda shtëpisë! Qymyri nuk përmban aroma të pakëndshme dhe as substanca të dëmshme për shëndetin dhe studimet kanë treguar vlerat e larta në eliminimin e toksinave nga ajri. Kohët e fundit, qymyri i bambusë ka treguar një rritje të lartë në konsumim.

Bimët nuk duhet të mungojnë

Përzgjidhni bimë që pastrojnë ajrin në mënyrë natyrale dhe që rikthejnë harmoninë e shtëpisë. Disa nga bimët e sugjeruara përfshijnë; krizantemat, dredhkat angleze, bimët aziatike me gjelbërim të përhershëm apo zambakët. Përveç estetikës të padiskutueshme që shtojnë në paraqitjen e shtëpisë, janë filtrueset më të mira natyrale të ajrit. Por aq sa të mira për ajrin që ne thithim, mund të jenë edhe të dëmshme për ambientin në momentin që i mungon kujdesi; sigurohuni të përdorni edhe produktet e duhura në pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

sq